Lajme

Qeveria e Kosovës: Deklaratat e Vulinit dhe Daçiqit fyejnë viktimat, presim reagim nga BE-ja dhe SHBA-të

0
qeveria-e-kosoves:-deklaratat-e-vulinit-dhe-daciqit-fyejne-viktimat,-presim-reagim-nga-be-ja-dhe-shba-te

Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ministrave serb, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vulin.

Qeveria përmes një reagimi për media, ka thënë se këto deklarata janë mungesë e thellë respekti për viktimat e luftës në Kosovë.

“Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”, thuhet ndër të tjerash në reagim, shkruan lajmi.net.

Qeveria ka thënë se pret edhe reagim nga ana e ndërkombëtarëve lidhur me këto deklarata.

Reagimi i plotë i Qeverisë së Kosovës, pa ndërhyrje:

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe.

Këto deklarata skandaloze, përveçqë fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar mijëra civilë të pafajshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët perëndimorë për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera. /Lajmi.net/

Lexo të tjera