Ekonomi

Rritje e investimeve të huaja direkte në Kosovë, gjatë pandemisë hynë mbi 164 milionë euro

0
rritje-e-investimeve-te-huaja-direkte-ne-kosove,-gjate-pandemise-hyne-mbi-164-milione-euro

Vetëm prej janarit e deri në qershor të këtij viti, këto investime kanë arritur vlerën e 164.7 milionë eurove. Kjo shumë e IHD-ve, në krahasim me vitin e kaluar është për 48.7 përqind më e lartë.

Raporti i fundit i BQK-së mbi “Vlerësimin Tremujor të Zhvillimeve Makroekonomike” në Kosovë, përmend faktin se Llogaritë financiare të bilancit të pagesave në vendin tonë kanë shënuar një vlerë prej -284.1 milionë eurove, që është një rritje e bilancit negativ, në krahasim me vitin 2019, kur kjo llogari kishte vlerën e vetëm -145.1 milionë euro.

Sipas BQK-së, kjo rritje e bilancit negativ në llogaritë financiare vendore ishte kryesisht si rezultat i zvogëlimit të investimeve jashtë Kosovës, e kryesisht atyre portfolio.

Edhe detyrimet në kuadër të llogarisë financiare kanë shënuar një rritje  prej 25.4 përqind, thotë po i njëjti raport.

E niveli i rritjes së IHD-ve në vend, sipas BQK-së, i atribuohet edhe faktit se gjatë gjysmës së parë të vitit 2020 kompanitë e huaja që operojnë në Kosovë nuk kanë shpërndarë dividentë për aksionarët e tyre, indikacion ky se kriza mund të ketë goditur edhe IHD-të përkundër rritjes së tyre.

Megjithkëtë, gjatë dy muajve të fundit këto investime kishin shënuar rënie, përkundër rritjes së lehtë në muajt paraprak.

“Në kuadër të strukturës së IHD-ve, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione arriti vlerën prej 128.4 milionë euro dhe shënoi rritje prej 56.5 përqind, ndërsa IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan rritje vjetore prej 26.3 përqind dhe arritën vlerën prej 36.3 milionë euro.”, thuhet tutje në këtë raport të BQK-së, shkruan Buletini Ekonomik.

Ndërsa, sa i përket origjinës së Investimeve të Huaja Direkte në vendin tonë, Shqipëria paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti Investime me një shumë prej 32 milionë eurove vetëm deri në qershor të 2020. Pas Shqipërisë, vendin e dytë për nga këto investime e zë Gjermania me 29.2 milionë euro, pastaj Hungaria me 25.8 milionë euro, si dhe Zvicra me 25.4 milionë euro. Gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar në Kosovë një shumë prej mbi 13 milionë eurove gjatë kësaj periudhe.

Lexo të tjera