Lajme

Shteti pa plan për kthimin e kosovarëve nga Siria, në mesin e tyre edhe 30 luftëtarë të ISIS’it

0
si-do-te-perfitojne-bizneset-nga-60-milioneshi-i-qeverise?

Shteti pa plan për kthimin e kosovarëve nga Siria, në mesin e tyre edhe 30 luftëtarë të ISIS’it

Lajme

Rreth 100 kosovarë të mbetur në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme, në mesin e të cilëve 40 janë fëmijë, nuk dihet se kur do të kthehen në vend. Ani pse Qeveria ka emëruar koordinator të veçantë për luftimin e terrorizmit e atë e udhëheq Ministri i MPB’së, Agim Veliu, në ekzekutiv nuk kanë ndonjë plan për këtë çështje, shkruan Gazeta Express.

Në muajin prill të 2019-tës, 110 kosovarë që kishin mbetur në Siri ishin pjesë e një aksioni të organeve të sigurisë vendore për riatdhesimin e tyre. Kthimi i shumë burrave, grave e fëmijëve nuk i dha fund numrit të kosovarëve që për vite kishin udhëtuar për në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme.

Rreth 100 kosovarë dyshohet se kanë mbetur ende në Siri, e në mesin e tyre janë edhe 30 ish ‘ushtarë të ISIS’it.

Pas kthimit të valës së parë, Gazeta Express ka raportuar se janë rreth 30 luftëtarë të organizatës ISIS, më shumë se dhjetëra gra e fëmijë, në radhë për t’u kthyer në vend.

Gazeta Express nga burime mirë të informuara në organet e sigurisë kishte mësuar se arsyeja pse kthimi i tyre ka zgjatur më shumë se për grupin e parë është sepse të njëjtit janë në zona të rrezikshme e rrjedhimisht sjellja e tyre është më e vështirë. Të kthyerit e valës së parë paraprakisht kishin komunikuar me Kosovën. Këta kishin qëndruar në një kamp të monitoruar nga kurdët, e disa të tjerë ishin afër tyre. Të gjithë këta, 110 persona, që kishin ditur për operacionin ishin bashkuar për t’u sjellë ashtu në Kosovë.

Se kur do të ketë operacion për kthimin e valës së dytë nuk e dinë në institucionet e Kosovës. Gazeta Express ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të parë nëse ekzekutivi ka ndonjë plan konkret për kthimin e këtyre personave.

“MPB aktualisht nuk ka asnjë plan për këtë çështje”, kanë thënë nga Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të pyetur për operacionin e kthimit, si dhe për planet e këtij dikasteri.

Qeveria në krye me Avdullah Hotin nuk ka plan për riatdhesim të shtetasve të Kosovës që po qëndrojnë në Siri, ani pse ndër vendimet e para që kanë marrë në ekzekutiv ishte ai i emërimit të një koordinatori të veçantë për parandalimin e ekstremizmit dhe luftimin e terrorizmit.

Për riatdhesimin e tyre nuk kanë folur as në Ministrinë e Drejtësisë që udhëhiqet nga Selim Selimi.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Ministrit Selimi dhe zyrës për media, mirëpo, tash e disa ditë nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje

Pas kthimit të grupit të parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për të kthyerit nga Siria.

Nga fillimi i konfliktit të armatosur në Siri dhe Irak, Kosova printe në rajon me numrin më të lartë të qytetarëve që udhëtuan drejt zonave të luftës.

Në total, numri i kosovarëve që shkuan në Siri dhe Irak, llogaritet të jetë rreth 400 duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

Plan të veçantë për kthimin e tyre nuk kanë as në dokumentin e hartuar për punën e këtij ekzekutivi.

Dy javë më parë ndërkaq, Veliu ka mbajtur një takim në cilësinë e koordinatorit duke njoftuar për hartimin e Strategjisë Shtetërore për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe luftimit të Terrorizmit.

Ky grup është i përbërë nga përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, autoriteteve lokale, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile./GazetaExpress/

Lexo të tjera