Lajme

Si dështuan institucionet në shqiptimin e dënimeve plotësuese për veprat penale të korrupsionit

0
si-deshtuan-institucionet-ne-shqiptimin-e-denimeve-plotesuese-per-veprat-penale-te-korrupsionit

Në këtë konferencë, Drejtësia Sot shpalosi të gjeturat e analizës të titulluar “Veprat penale të korrupsionit – mungesa e dënimeve plotësuese”.

Të gjeturat e analizës janë fokusuar në dukurinë e mosshqiptimit të dënimeve plotësuese tek veprat penale korruptive, dhe në trajtimin e praktikës gjyqësore të ndjekur nga gjykatat e Kosovës për periudhën Qershor 2019 – Qershor 2020. Për më tepër, kjo analizë identifikon ndryshimet ligjore në këtë aspekt në mes të Kodit të Ri Penal të hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe Kodit Penal të hyrë në fuqi në vitin 2013.

Së pari, të dhënat e monitorimit të Drejtësia Sot tregojnë se nga 197 aktakuzat e ngritura nga prokuroria e shtetit, në vetëm 13 nga to është propozuar që krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues ‘ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik’ ose ‘ndalimi i ushtrimit të profesionit, detyrës apo veprimtarisë’, gjersa në 184 aktakuza tjera nuk është propozuar shqiptimi i dënimeve të tilla plotësuese.

Vetëm 2 nga 13 rastet kur u propozua që përveç dënimit kryesor të shqiptohet edhe  dënimi plotësues hyjnë në kategorinë të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë ku niveli i dëmit të shkaktuar nga vepra penale është i madh, dhe këto dy raste janë “Zyrtarët e veriut” dhe “Stenta 3”.

Në situatë ende me të rënduar karshi aplikimit të këtyre dënimeve gjinden gjykatat  e Kosovës. Kjo ngase nga 62 aktgjykimet e analizuara nga Drejtësia Sot, këto gjykata në vetëm 2 raste kanë shqiptuar ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Në mesin e dy rasteve për të cilat është shqiptuar ky sanksion penal është rasti “Pronto”, ku Departamenti Special i Gjykatës së Apeli ndryshoi vendimin e shkallës së parë, dhe shqiptoi  edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik për 2 vite pas vuajtes së dënimit kryesor.

Duhet theksuar se këto të dhëna të siguruara nga monitorimi i Drejtësia Sot, në mënyrë të qartë shprehin faktin që gjykatat në Kosovë fare pak e kanë konsideruar si të nevojshëm shqiptimin e dënimit plotësues përpos atij kryesor. Kjo nga fakti se në shumicën e aktgjykimeve për vepra të korrupsionit gjykatat kanë dhënë dënime me kusht, e për këto lloj dënime Kodi penal i vjetër  në tërësi ka paraparë të lejoj që nën diskrecionin e gjyqtarëve të vendoset për shqiptimin apo jo të dënimeve plotësuese.

Së dyti, sa i përket bazës ligjore të shqiptimit të këtyre dënimeve, mund të vërehet se ekzistojnë dallime thelbësore në mes të Kodit të ri dhe atij te vjeter Penal. Ky dallim qëndron në natyrën obligative të shqiptimit të këtyre dy dënimeve plotësuese. Në Kodin e ri Penal që është i zbatueshëm momentalisht, vërehet qartë natyra obligative e shqiptimit të këtyre sanksioneve në rastet kur vepra penale është e përfshirë në kapitullin e veprave penale kundër detyrës zyrtare, siç specifikohet ne nenin 62 dhe 63 të këtij Kodi. Ndërsa në Kodin e vjetër kjo është lënë tërësisht në diskrecionin e gjyqtarit përkatës.

Pra, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal, mund të thuhet se natyra diskrecionale dhe fakultative për shqiptimin e këtyre sanksioneve më nuk ekziston, përkundrazi ky kod është plotësuar dhe ndryshuar duke krijuar bazë të mjaftueshme dhe obligative për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit për kryesit e veprave penale korruptive.

Në të njejtën kohë, Drejtesia Sot ka krahasuar legjislacionin e Kosovës me legjislacionin e Shqiperisë, Maqedonisë së Veriut, Sllovenisë, Gjermanisë dhe ka arritur në përfundim se të njejtit rregullojnë sferën e dënimeve plotësuese me ngjashmëri dhe dallime nga legjislacioni i Kosovës. Ngjashmëritë e këtyre legjislacioneve konsistojnë në faktin se në to është përfshirë ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike ndaj kryesve të veprave penale të korrupsionit.

Kurse, dallimet esenciale në mes tyre paraqiten në mënyrën apo formën se si shqiptohet ky sanksion plotësues, ashtu që kodi penal i Sllovenisë dhe ai i Gjermanisë e parashohin urdhërin si formë të ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike apo profesionit, ndërsa legjislacionet e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë e parashohin shqiptimin e dënimit plotësuese së bashku me dënimin kryesor.

Për fund, Drejtësia Sot vlerëson se ndryshimi i Kodit Penal në këtë aspekt paraqet hap pozitiv në krijimin e bazës ligjore adekuate për shqiptimin e dënimeve plotësuese. Dhe për më teper, heq mundësinë diskrecionale të gjyqtarëve në vendosjen ose jo të këtyre dënimeve kur gjykojnë raste të veprave korruptive. Prandaj, Drejtësia Sot do të vazhdoj që me kujdes të shtuar të monitorojë të gjitha proceset që nderlidhën me këtë aspekt dhe do informojë publikun e gjërë lidhur me zhvillimet konkrete.

Rrjedhimisht, Drejtesia Sot i rekomandon:

–  Prokurorit të Shtetit që në çdo aktakuzë të ngritur ku përfshihen të pandehur që ushtrojnë funksion zyrtar publik, duhet që medoemos të përfshijnë edhe pjesën e shqiptimit të dënimit plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike apo shërbim publik.
–   Dhe gjyqtarëve, që me rastin e shqiptimit të dënimeve kryesore të respektojnë edhe detyrimin për të shqiptuar edhe dënimin plotësues dhe atë jo vetëm për vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare por edhe për veprat penale të mosdeklarimit ose deklarimit të rrejshëm të pasurisë. /Lajmi.net/

Lexo të tjera