Lajme

Sigurohen mbi 160 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, QKMF-të në pritje

0
sigurohen-mbi-160-mije-doza-te-vaksines-kunder-gripit-sezonal,-qkmf-te-ne-pritje

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se për këtë sezon dimërore janë duke planifikuar shumëfishim të dozave të vaksinës kundër gripit.

“Një pjesë janë siguruar diku janë 165 mijë të cilat tash do shpërndahen tek qytetarët e Republikës së Kosovës. Por në këtë vit pretendojmë dhe do të mundësojmë që t’i kemi 500 mijë vaksina sigurisht edhe me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës është në vendim duhet ta sigurojmë edhe koston buxhetore dhe është duke u bërë planifikimi i shpërndarjes nga të gjitha komunat, edhe nga QKMF-të janë marrë raportet dhe në bazë të kësaj dinamike bashkërisht me IKSHPK-në, ju e dini që edhe zinxhiri i ftohjes e ka një kapacitet të limituar të mbajtjes së këtyre vaksinave. Por në një planifikim korrekt edhe serioz të kësaj çështje, pretendojmë të kemi një numër të konsiderueshëm të të vaksinuarve që do ta arrijë gjysmë milionë të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Sami Uka, kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha për KosovaPress, se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhur në këtë drejtim.

Ai tha se kërkesat për marrjen e kësaj vaksine janë të mëdha në komunë të Prishtinës ,prandaj thotë se sa më shumë doza aq më mirë pasi në të kundërtën qytetarët detyrohen që t’i blejnë vetë.

“Ne po presim që brenda këtyre një apo dy jave të ardhshme të furnizohemi me dozat e para të vaksinës kundër gripit sezonal i kemi bërë të gjitha përgatitjet për t’i pranuar ato dhe për t’i distribuuar ato sipas nevojës tek moshat më fragjile apo më të thyeshme të cilat janë me prioritet për tu vaksinuar që janë moshat mbi 65 vjeçe ,të sëmurët me sëmundje kronike dhe shtatzënat. Po shpresojmë që t’i kemi me kohë që t’i administrojmë tek të gjithë nevojtarët….Prishtina vitin e kaluar diku ka administruar rreth 11 mijë doza dhe kështu edhe sivjet po planifikojmë minimum t’i kemi 11 deri 12 mijë doza që duhet t’i administrojmë por sasia që kërkohet është shumë më e madhe. Prandaj, çfarë do sasie mbi këtë sasi është e mirëseardhur për pacientët tanë që në rrethanat tjera duhet t’i blinin vetë pasi si të kalohet ky kufi mbi 12 mijë doza”, theksoi Uka.

Uka për KosovaPress thotë se duke e parë situatën epidemiologjike me COVID-19 në vend, shpërndarja e vaksinave është menduar të bëhet në dy mënyra.

Kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë e sheh tejet të nevojshme vaksinimin e të gjithë stafit mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

“Duke e marrë parasysh edhe COVID-in që ende po qarkullon mes nesh edhe pse me intensitet pak më të ulët, është e domosdoshme që të intervenohet sa më herët dhe mos të lihet sikurse vitin e kaluar që ka ndodhur deri në dhjetor, kemi marrë dozat e vaksinës. Andaj ne po shpresojmë që sa më shpejt të fillojmë me dhënien e dozave të para të vaksinës kundër gripit sezonal. I kemi bërë të gjitha përgatitjet i kemi dy variante në dispozicion atë që ta bëjmë administrimin e vaksinës në të gjitha qendrat apo edhe në qendra të caktuara, ose vetëm në Qendrën tonë këtu në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare sikur që është viteve të kaluara. Por me një riorganizim të punës në mënyrë që të shmangen kontakti i afërt i pacientëve me pacientët e tjerë, por njëkohësisht të sigurohet edhe administrimi sa më i shpejt i tyre”, deklaroi kryeshefi i QKMF-së në Prishtinë.

E sipas infektologut Valbon Krasniqi në këtë kohë kur po përballemi me pandeminë COVID-19, nevoja për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal në kohën e duhur është edhe më e madhe, pasi që të dy viruset ngacmojnë rrugët e frymëmarrjes.

“Këtë vit për shkak edhe të pandemisë me COVID nevoja bëhet edhe më e rëndësishme për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal dhe presim që deri në një kohë optimale…Këta dy virus janë të ndarë të dytë i sulmojnë rrugët respiratorë, megjithatë vaksina kundër gripit sezonal nuk është e paraparë për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19, prandaj koha optimale është koha që përmendim më herët dhe ne presim që krahas planifikimeve të rregullta të filloj ky vaksinim me kohë“, tha Krasniqi.

Në bazë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16 mijë raste të regjistruara me grip sezonal.

Lexo të tjera