Fun

Skema e një mashtrimi të sofistikuar: Si i vodhi kjo grua diamantet duke i ndërruar me 7 guralecë

0
skema-e-nje-mashtrimi-te-sofistikuar:-si-i-vodhi-kjo-grua-diamantet-duke-i-nderruar-me-7-guralece

Një grua vodhi diamante me vlerë 4.2 milionë paundë nga një argjendari luksoze në Londër, duke u paraqitur si një eksperte e gurëve të çmuar dhe duke i ndërruar ato me disa guralecë kopshti, shkruan BBC.

Një mashtrim shumë i sofistikuar, por që nuk ka mbetur pa dalë në dritë, transmeton lajmi.net.

Lulu Lakatos pretendohet se është prezantuar si një gemologe dhe kërkoi të ekzaminonte dhe vlerësonte shtatë diamante në sallën e ekspozitës Boodles në New Bond Street në Mayfair, të Londrës qëndrore.

Pas ekzaminimit, bizhuteritë u vendosën në një çantë të mbyllur dhe po mbaheshin në pritje të pagesës. Por kur çanta u hap, pasi eksperti i diamantëve i Boodles dyshoi, brenda ishin shtatë guralecë të vegjël.

Lakatos, 60 vjeçe, e cila ka lindur në Rumani por ka jetuar në Francë, mohon komplotin e vjedhjes.

Skema e mashtrimit

Në shkurt të vitit 2016, kryetari i Boodles, Nicholas Wainwright u prezantua me një burrë që e quante veten “Simon Glas”, i cili tha se ishte i interesuar të blinte diamante me vlerë të lartë si një investim. Ata u takuan në Monako muajin tjetër, ku Wainwright u prezantua me partnerin e biznesit të Glas, një rus i quajtur “Alexander”, dhe shitja e shtatë diamanteve me vlerë të lartë u dakordësua pas diskutimeve të mëtejshme.

Gurët e çmuar, me një vlerë totale prej 4.2 milionë paundësh, përfshinin një diamant 20 karat në formë zemre me vlerë më shumë se 2.2 milionë £ dhe një diamant rozë në formë dardhe 3 karat, me vlerë 1.1 milion £.

Blerësit sollën një vlerësuese të gurëve të çmuar, “Anna”, për të ekzaminuar gurët, përpara se ata të futeshin në një çantë të mbyllur për t’u mbajtur nga Boodles derisa argjendarët të merrnin fondet.

Gruaja e paraqitur si Anna, ishte pikërisht Lakatos, e cila u shoqërua në dhomën e takimeve të argjendarëve më 10 mars 2016 nga Z. Wainwright dhe gemologia e firmës, Emma Barton.

Prokurori Philip Stott tha se Lakatos kërkoi të ekzaminonte dhe peshonte secilin nga shtatë diamantët, përpara se t’i mbështillte individualisht në peceta të prera paraprakisht dhe t’i vendoste brenda kutive të errëta. Kur ekzaminimi përfundoi, kutitë u vendosën në një çantë me zinxhir, e cila më pas u mbyll. Prokurori tha se Lakatos vendosi çantën e mbyllur brenda çantës së saj të dorës kur Wainwright u lëvizi pak për të folur në telefon. Barton i tha asaj që ta vendoste çantën përsëri në tryezë. Lakatos e ndërroi çantën ku u futën diamantët me një çantë identike, brenda së cilës ndodheshin shtatë guralecë të vegjël.

Të nesërmen, stafi i Boodles mbeti me dyshime, kështu që e hapi çantën dhe brenda secilës prej kutive kishte nga një guralec të vogël, në vend të një diamanti.

Stott tha se Lakatos hoqi kapelën dhe shallin, si dhe ndërroi rrobat e saj në tualetin e një bari, e ndihmuar nga një bashkëpunëtore tjetër. Ajo më pas u largua nga Londra.

Dy nga anëtarët e grupit, Christophe Stankovic dhe Mickael Jovanovic, tashmë janë dënuar për komplot për vjedhjeje. Ndërsa Lakatos u arrestua në Francë në shtator të vitit të kaluar, para se të ekstradohej në Mbretërinë e Bashkuar. Gjyqi vazhdon. /Lajmi.net/

Lexo të tjera