Lajme

Specialja pritet ta arrestojë edhe një ish-ushtar të UÇK-së

0

Gati shtatë muaj kanë kaluar që prej se ish-ushtari i UÇK-së, Faik Zogaj, do të duhej të paraqitej për intervistim nga prokurorët e Speciales. Këta të fundit, e kishin thirrur Zogajn të intervistohej më 21 mars të këtij viti. Kësaj ftese, Zogaj nuk i ishte përgjigjur, nën deklarimin se nuk e njeh këtë institucion. Pavarësisht problemeve shëndetësore dhe trajtimit që po i duhet ta marrë, Specialja tani po e paralajmëron Zogajn se mund të arrestohet nëse nuk paraqitet për intervistim.

Plagët që i mori në luftën e fundit në Kosovë dhe trajtimin mjekësor që po i duhet ta kryej, ish-ushtarit të UÇK-së, Faik Zogajt, s’po i llogariten si arsye valide nga Specialja për t’ia shtyrë intervistimin, shkruan lajmi.net.

Zogajt në shkurt të këtij viti, i kishte ardhur një ftesë  për t’u paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale të Hagë një muaj më vonë, më 21 mars. Të njëjtën, Zogaj e kishte refuzuar duke thënë se nuk e njeh Gjykatën Speciale, dhe se ftesës nuk i përgjigjet deri sa të dënohen kriminelët serbë që kryen gjenocid në Kosovë.

“Të nderuar familjarë, miq dhe shokë ,dua t’ju informoj që kam pranuar ftesë ne cilësinë e të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilës nuk do i përgjigjem më datë 21.03.2020, sepse unë personalisht nuk e njoh ketë Gjykatë derisa kjo gjykatë t’i dënon kriminelet që më i vranë më të dashurit e mij brenda në shtëpi”- kishte shkruar Zogaj në shkurt të këtij viti, atëherë kur edhe kishte pranuar ftesën.

Dhe kështu ndodhi. Kur kanë kaluar gati shtatë muaj që prej se e pranoi ftesën, Zogaj nuk u paraqit asnjeherë në zyret e Prokurorit të Specializuar. Kjo e fundit me anë të një ftese tjetër, e ka paralajmëruar Zogajn se nëse nuk paraqitet deri më 29 tetor për intervistim, atëherë mund të arrestohet.

Duke folur për lajmi.net, Zogaj tregon se e ka të pamundur të paraqitet për intervistim në Hagë, për shkak se është duke u trajtuar me terapi për plagën që ka marrë gjatë luftës në këmbë, si dhe për boshtin kurrizor.

“Ftesën e dytë nga Specialja e kam marrë para 10 dite. Ftesa ka qenë me vërejtje për shkak se s’jam përgjigjur në të parën. Ata kanë paralajmëruar për arrestim, mirëpo unë kam bërë ankesë sërish, sepse jam duke u trajtuar dhe shëruar nga mjeku për boshtin kurrizor. Operimin në këmbë s’kam mund ta bëj ende për shkak të koronavirusit”, tregon Zogaj.

E përveç dy arsyeve të lartpërmendura, Zogaj thotë se nuk paraqitet tek zyra e Prokurorit të Specializuar për shkak se nuk e njeh këtë gjykatë.

“Arsyeja numër tre është se unë nuk e njoh këtë gjykatë”, thotë ai për lajmi.net.

Policia e Speciales e cila tanimë është stacionuar në Kosovë, bashkë me atë të EULEX-it veç se kanë nisur arrestimet e para.

I pari që përfundoi nën pranga është ish-ushtari i UÇK-së, Salih Mustafa të cilit iu konfirmua aktakuza.

Pas tij, u arrestuan edhe kryetari dhe nënkryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, mirëpo jo nën akuzat për krime lufte.

Ndaj të dyve brenda 30 ditësh pritet të dorëzohet një aktakuzë në gjykatë, e cila ka të bëj me akuzat dhe pretendimet e prokurorisë për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve./Express

Lexo të tjera