Lajme

Stërvitje ushtarake me dronë kinezë e avionë rusë në Serbi

0

Avionë, helikopterë dhe tanke të prodhimit rus zhvilluan qitje të shtunën në Pester, një zonë e vetmuar stërvitjesh në Serbinë perëndimore, ndërsa në qiell fluturonin dronët ushtarakë kinezë.

Manovrat e quajtura Bashkëpunimi 2020 ishin demonstrim i një fuqie ushtarake të ripërtëritur të Serbisë dhe u ndoqën nga Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe personalitete të tjera.

Gjatë stërvitjeve u nënvizuan lidhjet e ngushta ushtarake të Serbisë me Pekinin dhe Moskën.

Vitet e fundit, Beogradi ka përshpejtuar shpenzimet e mbrojtjes ndërkohë që kërkon dominim në Ballkanin Perëndimor.

Buxheti i tij ushtarak u rrit në rreth 1.14 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe 2019, që është 43% më shumë se në 2018. Shpenzimet ushtarake të këtij viti përbënin rreth 2.4 për qind të produktit të brendshëm të përgjithshëm,përcjell Zëri i Amerikës raportin e Reuters.

“Jemi duke forcuar ushtrinë tonë për të parandaluar çdo agresor, nuk kemi ndërmend të nisim ndonjë konflikt”, u tha Vuçiqi gazetarëve pas stërvitjes.

Për herë të parë, Serbia demonstroi përdorimin e dronëve luftarakë kinezë CH-92A, dislokimi i parë i mjeteve fluturuese kineze pa pilot në Evropë. Ajo mori gjashtë dronë të tillë në qershor.

Pekini e sheh Serbinë si pjesë të nismës “Një Brez Një Rrugë”, që synon hapjen e lidhjeve të reja të tregtisë së jashtme për kompanitë kineze që kanë investuar miliarda euro, kryesisht kredi të buta, për projekte të infrastrukturës dhe energjisë.

Për stërvitjen e së shtunës, ushtria serbe dislokoi atje 40 avionë, rreth 150 automjete, përfshirë tanke dhe transportues të blinduar si dhe rreth 2’800 trupa.

Ushtria serbe përdor kryesisht teknologji ish-sovjetike, por vitet e fundit Beogradi ka blerë avionë luftarakë MiG-29 dhe armë të tjera nga Rusia, përfshirë helikopterë Mi-35 dhe sistemin e mbrojtjes ajrore Pancir, që u demonstrua të shtunën.

Serbia, e cila është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shpalli neutralitetin ushtarak në vitin 2006. Ajo iu bashkua Programit të NATO-s Partneritet për Paqe, megjithëse nuk kërkon anëtarësim të plotë në aleancën perëndimore të mbrojtjes.

Lexo të tjera