Ekonomi

Studimi i fizibilitetit për Ujmanin ende në pritje

0
studimi-i-fizibilitetit-per-ujmanin-ende-ne-pritje

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ky proces nuk ka nisur ende.

“Deri tash, ministrit Blerim Kuçi i është dorëzuar nga Sekretari i Departamentit të Energjisë në SHBA, një letër ku tregohet në lidhje me këtë studim, në të cilin do të marrin pjesë ekspertë nga ky departament”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit janë zotuar që të sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë së SHBA-së dhe njësive tjera të Qeverisë amerikane, duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit.

“Ky grup është në proces të konsolidimit”, deklaruan nga zyra për komunikim me publikun e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, pa dhënë detaje shtesë.

SHBA-ja në aksion për jetësimin e këtij studimi

Më 20 tetor, një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi Planin e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit, në Kosovë qëndroi një delegacion amerikan i udhëhequr nga zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais, e ku njëra nga çështjet kryesore të bisedimeve ishte studimi i fizibilitetit për Ujmanin.

Në delegacionin amerikan ishin edhe dy ekspertë, njëri i energjisë dhe njëri i ujërave, që të dy nga Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor afër Siatëll.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zais pati thënë se qëllimi i vizitës ishte mbledhja e informatave dhe vlerësimeve teknike për Liqenin e Ujmanit.

“Dhe në parim, për të kuptuar mundësitë dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga shfrytëzimi i liqenit dhe tërë ajo që ofron liqeni, qoftë kjo energjia elektrike apo uji. Jemi këtu në kapacitet teknik dhe kjo është përcaktuar me marrëveshjen ekonomike në Shtëpinë e Bardhë. Dhe, sërish, ky është përkushtim. Kur isha herën e fundit, paraqita një letër nga sekretari i Energjisë, sekretari Dan Brouillette, në të cilën përfshihej ky përkushtim për studimin e fizibilitetit dhe tri javë më vonë ja ku jemi, duke e zbatuar atë”, pati thënë ai në intervistën për Zërin e Amerikës.

A do ta zbatojë administrata e re amerikane këtë pikë të marrëveshjes së Uashingtonit?

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, pret që administrata e re amerikane megjithatë do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e disa prej pikave, nëse jo të tërë marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në këtë aspekt, pika që ka të bëjë me Liqenin e Ujmanit, do të vazhdojë të trajtohet edhe nga administrata e re, për shkak se është një çështje që medoemos duhet të diskutohet dhe për të cilën duhet të gjendet një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Zeka pret që Kosova dhe Serbia të angazhohen seriozisht për përmbushjen e zotimeve të bëra më 4 shtator në Uashington.

“Çfarëdo dështimi i Kosovës dhe Serbisë që të shtyjnë përpara zbatimin e pikave të marrëveshjes që ato kanë marrë përsipër, do të mund të përcillet me presion të shtuar nga SHBA-ja, por në të njëjtën kohë me mosfinancim të projekteve të përfshira në marrëveshje”, shtoi Zeka.

Ai kërkon që Qeveria e Kosovës të jetë sa më e përgatitur në këtë proces dhe të kërkojë ndihmën e profesionistëve vendorë.

Dragisha Mijaçiq, drejtor i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, një organizatë joqeveritare në Beograd, në një deklarim për Radion Evropa po ashtu pret që administrata e re amerikane të mos tërhiqet nga ky proces.

Ai përmend edhe qëllimin e SHBA-së për ndërtimin e një termocentrali të ri, e ku siguria për ujë është qenësore.

“Ajo (SHBA-ja) nuk do të lejojë që çështja e Ujmanit dhe menaxhimit të këtij resursi strategjik, të mbetet e pazgjidhur, para se të hyjnë në këtë investim kaq të madh. Prandaj, do të ketë presion nga pala amerikane që ta zgjidhin çështjen e menaxhimit të këtij resursi, në një mënyrë apo tjetër, qoftë përmes privatizimit, ndonjë modeli të përbashkët qeveritar apo përmes koncesionit. Por, mendoj se kjo çështje do të zgjidhet shpejt”, tha Mijaçiq.

Rëndësia e Liqenit të Ujmanit për Kosovën

Në procesin e dialogut, Serbia kishte insistuar vazhdimisht që menaxhimi i Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kishte refuzuar kategorikisht pala kosovare.

Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, “Trepça” dhe “Ferronikeli” varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lexo të tjera