Ekonomi

“Të zvogëlohen pagat e sektorit publik që punojnë nga shtëpia, të paguhen ata që e kanë humbur punën”

0
“te-zvogelohen-pagat-e-sektorit-publik-qe-punojne-nga-shtepia,-te-paguhen-ata-qe-e-kane-humbur-punen”

Në një intervistë për lajmi.net, kryetari i OAK, Skënder Krasniqi tha, se ajo që ishte dashur të bëhet, është që qeveria do të duhej që biznesin ta mbajë aktiv gjatë kësaj kohë e që nuk po e bënë

OAK duke u bazuar në të dhënat e vazhdueshme që marrim nga bizneset dhe gjendjen e rëndë në të cilën është biznesi duke vazhduar t’i mbaj jashtë mundësive të saja punëtorët, konsideron se një mbyllje e dytë do ta dëmtojnë shumë rëndë biznesin dhe numri i bizneseve të falimentuara do të rritet së bashku me numrin e qytetarëve të papunë.

Krasniqi tha se komuniteti i bizneseve nuk ka pasur hapësirë në përpilimin e Ligjit për rimëkëmbje. Madje mendon që ky ligj as që do të duhej të quhej ashtu.

“Nuk e dimë çka është përfshirë në të. Marr parasysh që odat nuk janë ftuar për t’u dëgjuar nga komisioni përkatës parlamentar, dyshimet tona janë se do të kalojë ashtu siç ka qenë në pjesën e parë. Ne kemi kërkuar që Fondi i Garancisë Kreditore të rritet në 300 milionë. Kemi kërkuar që të ulët norma e interesit e Bankës Qendrore në 1.7. Kjo sepse BQK-ja është e vetmja bankë në Evropë që nuk e ka ulur normën e interesit. Bankat tjera  e kanë ulur deri në 0.25 për qind, çka afekton në uljen e drejtpërdrejt të normës së interesit të bankave komerciale”, tha Krasniqi.

Në këtë intervistë, ai i ka sugjeruar qeverisë që të përkrahet prodhimi vendor në mënyrë që të ketë një qëndrueshmëri më të madhe dhe rritje ekonomike.

“Ne nuk jemi Gjermania, por duhet të sillemi si Kosova që në gjendjen në të cilën jemi të përkrahën bizneset. E përkrahja nuk nënkupton vetëm financa, por edhe ligjet. Pra, duhet të përkrahet eksporti dhe prodhimet vendore me 10 për qind ndryshe, rrugëdalja do të jetë e pa rrugë, Vetëm kështu rritet konsumi vendor dhe punësimi në Kosovë dhe të hyrat e shtetit”.

Lajmi.net: Rreth 7 muaj pothuajse bllokadë, si pasojë e epidemisë COVID-19, cila është gjendja e biznesit aktualisht?

Krasniqi: Fatkeqësisht gjendja e bizneseve nuk ka qenë e mirë as para pandemisë. Ne kemi vërejtur me dhjetëra a qindra probleme të cilat në kontinuitet i kemi deleguar dhe jemi duke i deleguar tek institucionet përkatëse, por fatkeqësisht reagimi i tyre është shumë i dobët në krahasim me gjendjen. Ardhja e pandemisë e ka gjetur biznesin në gjendje shumë të keqe. Kemi shpresuar që institucionet tona do të kenë një komunikim me bizneset dhe odat ekonomike në mënyrë që ta përballojmë më lehtë ketë situatë shumë të rëndë.

Lajmi.net: Cilët janë sektorët dhe bizneset më të prekura nga kjo situatë dhe ku është e shprehur më shumë?

Krasniqi: Realisht të gjithë sektorët janë të prekur. Por, më të prekurit janë ata sektor që kanë të bëjnë me konsumin. Sepse ka rënë konsumi ngase qytetarët kanë shfaqur një fikë gjatë pandemisë, ka bërë që bizneset dhe qytetarët në përgjithësi të tkurren pak, të jenë më të kujdesshëm në blerje. Realisht qeveria ka marrë disa masa, që nga pakoja e parë, por që janë shumë larg nevojave dhe kërkesave që kanë bizneset.

Lajmi.net: A është duke rrezikuar të falimentojë një pjesë e ndërmarrjeve?

Krasniqi: Veç ka nisur falimentimi. Deri në muajin gusht bizneset janë munduar që të mbajnë numrin e punëtorëve që i kanë pasur, për shkak që kanë shpresuar që me ardhjen e bashkatdhetarëve do të mundin të mbajnë numrin e punëtorëve dhe do ta mbajnë gjendjen në të cilën janë. Fatkeqësisht siç u pa, ardhja e bashkatdhetarëve ka qenë shumë e vogël. Prej muajit shtator ka nisur edhe largimi i punëtorëve nga puna pa dëshirën e bizneseve sepse bizneset me dëshirë nuk i largojnë këta punëtorë ngase kanë investuar me vite që ta krijojnë një punëtori, apo një vend pune.

Lajmi.net: Çfarë masash janë të domosdoshme të zbatohen në periudhën e ringritjes dhe sa kohë mendoni që i duhet biznesit për t’u kthyer në normalitet?

Krasniqi: Ajo që ishte dashur të bëhet shumë, është që qeveria do të duhej që biznesin ta mbajë aktiv gjatë kësaj kohë. Nuk është duke e bërë. Kjo në mënyrë që me kalimin e pandemisë ky biznes të jetë në gjendje të punojë dhe të rris numrin e punëtorëve. Ne kemi kërkuar masa përkrahëset të cilat afektohen nga COVID-i. Nëse qeveria vendos të mbyllë një biznes, duhet që atij biznesi me i siguru mjete dhe punëtorit t’i sigurojë pagë gjatë kohës që e ka mbyllur, sepse nuk është fajtor që ka vendosur qeveri ta mbyllë apo me ia zvogëlua kapacitete e punës së tij. Është fajtor qeveria, dhe për këtë, paraprakisht ajo do të duhej të sigurojë mjete për atë sektor dhe të gjithë ata që gjatë asaj kohe që mbesin në shtëpi të kenë mundësi mbijetese në mënyrë që kur të rikthehen të ketë mundësi biznesi të fillojë me të njëjtat kapacitete të punëtorëve.

Lajmi.net: Ku do të mund t’i merrte këto mjete qeveria sipas jush?

Krasniqi: Ka shumë mënyra që të sigurohen këto mjete. E para ka qenë mundësia që të zvogëlohen pagat e punëtorëve të institucioneve të shtetit të atyre që po rrinë në shtëpi shkaku i pandemisë dhe po e marrin pagën e plotë. Nëse një kohë 80 për qind e stafit ka qëndruar në shtëpi ata kanë mundur të kenë paga më të vogla.

Lajmi.net: Kjo duket e pamjaftueshme?

Krasniqi: A është pamjaftueshme nëse punëtorin privat e çon në shtëpi e nuk ja jep asnjë cent. Qeveria nuk duhet të bëjë ndarje të qytetarëve të saj sepse me kushtetutë të gjithë jemi të barabartë. Nëse shteti ta mbyllë punën, duhet ta sigurojë se pakën një jetesë minimale që nuk është duke e bërë. Mos të harrojmë punëtorët e sektorit privat janë financues të këtij shteti. Ka edhe modalitete tjera të financimit, me infrastrukturë ligjore dhe me marrjen e kredive. Kemi kërkuar që të financohet prodhimi vendor me 10 për qind në ndalje në markete. Kjo si subvencionim që të rritet konsumi i prodhimit vendor që automatikisht nënkupton edhe rritjen e numrit të punëtorëve sepse ka një tavan ekstrem në mes importit dhe eksportit. Kosova mbi 90 për qind të produkteve i importon dhe vetëm 10 për qind e ka eksportin e që kështu nuk e ka as një vend në rajon. Kjo është si rezultat i politikave të këqija që i aplikon shteti ynë dhe politikave anti prodhimit vendor.

Lajmi.net: A është ndihmë e mjaftueshme për biznesit marrë parasysh masat që janë të parapara Ligji për rimëkëmbje?

Krasniqi: Ajo do të duhej të quhej pako e dytë e vazhdueshme fiskale. Pas inicimit të procedurës për këtë pako nga ana e qeverisë ne i kemi dërguar kërkesat tona, fatkeqësisht ato janë marrë pak parasysh. Kanë qenë kërkesa reale të bizneseve dhe që e përkrahin biznesin. Ne ia kemi dërguar kërkesat tona edhe deputetëve para se ligji të shkojë në Kuvend, por nuk i kanë marrë parasysh. I kemi thirrur shefat e grupeve parlamentare, një pjesë ka ardhur në takim një pjesë jo. Ua kemi sqaruar kërkesat e bizneseve. Nuk e dimë gjendjen momentale të Projektligjit pas kalimit në fazën e dytë në Kuvend sepse nuk na e kanë dërguar. Pra nuk e dimë çka është përfshirë në të. Marrë parasysh që odat nuk janë ftuar për t’u dëgjuar nga komisioni përkatës parlamentar dyshimet tona janë se do të kalojë ashtu siç ka qenë në pjesën e parë. Ne kemi kërkuar që Fondi i Garancisë Kreditore të rritet në 300 milionë. Kemi kërkuar që të ulët norma e interesit e Bankës Qendrore në 1.7. Kjo sepse BQK-ja është e vetmja bankë në Evropë që nuk e ka ulur normën e interesit. Bankat tjera  e kanë ulur deri në 0.25 për qind, çka afekton në uljen e drejtpërdrejt të normës së interesit të Bankave komerciale.

Lajmi.net: Cilat janë ankesat më të mëdha të bankave sa i përket shërbimeve bankare?

Krasniqi: Ankesa më e madhe është tek BQK-ja, e cila nuk po afekton. Ne i kemi pasur takime me Guvernatorin dhe i kemi adresuar shqetësimin e bizneseve që kanë ndaj bankave. Deri më tani BQK-ja vetëm një kërkesë tonën e ka adresuar. Ne patëm kërkuar që kur të bëhen pagesat në blerje nga qytetarët të mos u merret përqindja qytetarëve për blerjen që e bëjnë në markete. Ata e kanë zgjidhur këtë problem nga shkurti i këtij viti. Pra, tash çdo qytetarët që paguan me kartel në market, banka nuk merr interes për blerje. Por, a dini çfarë po ndodhë? Po i merr para biznesit nga 1.5 deri në 3 për qind të shumës së blerë. Paramendoni një qytetarë blenë në një biznes me kartelë mall në vlerë deri në 10 mijë euro, biznesit i ndalën 300 euro për blerjen që është bërë me kartelë. Pra, i merret 3 për qind e shumës se blerë, ja merr banka, vetëm që ka blerë me kartelë. Ndërsa 3 për qind sikur t’i kishte biznesi fitim do të ishte sukses. Kjo është padrejtësi dhe politikë shumë e keqe që BQK-ja është duke e lejuar. Të kemi parasysh BQK-ja i përcakton rregullat për bankat komerciale. Banka Qendrore ka marr vendim që çdo para të imët që e dorëzon banka komerciale te ta, 5 për qind i merr ajo. E çka po ndodhë tash, bankat komerciale u marrin para bizneseve për dorëzimin e parave të imta 5 deri në 8 për qind që është ekstrem e madhe. Këto ditë, një biznes kishte shkuar t’i dorëzojë para të imta në bankë, ata i kanë kërkuar 250 euro, pra ia kanë marr 5 për qind të qarkullimit për dorëzimin e parave.

Lajmi.net: A ka para të mjaftueshme në treg?

Krasniqi: Ka mungese të parave në treg, por ka edhe para që po frikësohen të futen në qarkullim. Ka rritje të depozitave të qytetarëve dhe bizneseve  në banat komerciale, si rezultat i frikës që të bëhet investim në Kosovë. Mos të harrojmë një gjë kur jemi tek kjo temë. Po ju kujtojë se bankat komerciale e kanë ndalur dhënien e kredive për bizneset e reja. Ato po bëjnë analiza shumë më të thella për dhënien e kredive, si rezultat i gjendjes në të cilën jemi. Pra, ata po i shkojnë maksimalisht riskun. Dihet se deri para ardhjes së pandemisë risku ka qenë më i ulëti në rajon.

Lajmi.net: Çka do të thotë për bizneset edhe një mbyllje e dytë?

Krasniqi: Në si Odë kemi protestuar ndaj këtyre vendimeve, sepse këto vendime qeveri e Kosovës është duke i marr pa u koordinuar me biznesin me efektet dhe kundër efektet. Mbyllje e dytë nënkupton jo vetëm të dhjetëra, por qindra e mijëra bizneseve dhe largim të mijëra punëtorëve nga puna. Një rimëkëmbje e bizneseve do të jetë shumë më e vështirë, shumë më e rëndë dhe bizneset ose qytetarët do të hezitojnë që të bëjnë biznes në Kosovë për shkak të mos reagimit të institucioneve të Kosovës. Kemi kërkuar që para se të merret një vendim, për çdo sektorë që do të mbyllet, domosdoshmërish duhet t’i dilet në ndihmë atij sektori. Përpos pagave, bizneset kanë edhe shpenzime të rregullta mujore, kanë kredi. Qytetarët e punësuar në atë sektor, po ashtu kanë kredi që nuk po ua merr përsipër shteti. Pra, duhet të analizohet mirë situata, sepse ne nuk jemi Gjermani. Ata çdo sektor që e mbyllin, u sigurojnë paga punëtorëve dhe biznesit për të mbajtur në gjendjen në qarkullim. Ne nuk jemi Gjermani, por duhet të sillmi si Kosovë që në gjendjen në të cilën jemi të përkrahën bizneset. E përkrahja nuk nënkupton vetëm financa, por edhe ligjet. Pra, duhet të përkrahet eksporti dhe prodhimet vendore me 10 për qind ndryshe rrugëdalja do të jetë e pa rrugë, Vetëm kështu rritet konsumi vendor dhe punësimi në Kosovë dhe të hyrat e shtetit. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/

Lexo të tjera