Lajme

Tërhiqet urdhër-arresti ndaj Milan Radoiçiqit, i akuzuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

0
terhiqet-urdher-arresti-ndaj-milan-radoiciqit,-i-akuzuar-per-vrasjen-e-oliver-ivanoviqit

Vendimi në fjalë konfirmohet të jetë marrë më 23 shkurt të këtij viti, kurse urdhër-arresti ishte lëshuar më 14.08.2020.

“Gjykata e ka pranuar kërkesën për tërheqjen e urdhër-arrestit nga Prokuroria Speciale të datës 19.02.2021 me arsyetimin se duke u bazuar në të dhënat e raportit të Policisë së Kosovës për përfshirjen e të dyshuarit Milan Radoiçiq në kryerjen e veprave të tjera penale dhe fakti se që nga koha e lëshimit të urdhër-arrestit të parë, nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht Prokurorisë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet ndër të tjerash në këtë vendim.

Në bazë të gjykatës theksohet se pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesë së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, u konstatua se kërkesa është e arsyetuar mirë dhe e bazuar konform dispozitës së nenit 173 paragrafi 3 të KPPRK-së.

Në gusht të vitit 2019, Ministria e Drejtësisë asokohe pati lëshuar letër-rreshtim ndaj Milan Radoiçiqit. I njëjti ishte në kërkim nën dyshimin për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Radoiçiq ndryshe dyshohej se kishte marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e Ivanoviqit.

Në bazë të aktakuzës së ngritur asokohe, Milan Radoiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës në vdekjen e Ivanoviqit.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti në Gjykatën e Prishtinës ka filluar procesi gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.Ish- politikani serb i Kosovë, Oliver Ivanoviq, u gjetë pa shenja jete mëngjesin e 6 janarit të vitit 2018./Lajmi.net/

Lexo të tjera