Lajme

Trendi aktual i humbjeve llogaritet të jetë rreth 30 milionë euro, bizneset kërkojnë pako të rimëkëmbjes

0
trendi-aktual-i-humbjeve-llogaritet-te-jete-rreth-30-milione-euro,-bizneset-kerkojne-pako-te-rimekembjes

Masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e Coronavirusit, të cila janë në fuqi nga data 7 prill, përfshijnë pezullimin e aktiviteteve në shërbimet e gastronomisë, përveç shërbimeve “merr me vete” dhe atyre me porosi. Po ashtu është e ndaluar veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha, në një intervistë për Ekonomia Online tha se mbyllja do të ketë ndikim në uljen e qarkullimit dhe të konsumit, duke shtuar se për të dal nga kjo gjendje duhet të kompensohet dëmet nga Qeveria.

“Për të dalë nga vështirësia duhet të kompensohet mbyllja. Vitin e kaluar kemi pasur rënie ekonomike 6% dhe kemi qëndruar keq për nga vendet e rajonit dhe ajo ka ndodhur për shkak se patëm krizë politike ku dy qeveri nuk janë funksionale dhe nuk mundën me pas ndikimin në ekonomi sa duhet”.

“Sa do të ketë ndikim varet prej qeverisë sa do të investojë në ekonomi sepse ka rënie të hyrave në buxhet”, shtoi Panxha.

Ndërsa, sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se trendi aktual i humbjeve në Kosovë sa i përket operatorëve ekonomik dhe sektorëve që janë të mbyllur është rreth 30 milionë.

Madje, ai tha se në këto përkufizime duhet të përfshihen shtyrja e borxheve, ndëshkimeve dhe kredive.

“Sipas analizave tona trendi aktual i humbjeve në Kosovë mund të faturohet rreth 30 milionë aktual dhe ishte vendim i pa llogaritur mirë, që do të duhet të korrigjohet dhe të përcillet me disa vendime të tjera shtesë duke i mbuluar të gjitha shpenzimet e operatorëve ekonomik, të sektorëve që janë të mbyllur në mënyrë që ata sa më lehtë të kalojnë këto ditë të mbylljes duke përfshirë shtyrjen e borxheve, ndëshkimeve, interesit qoftë të tatimeve të ndryshme dhe kredive prandaj një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ato duhet të faturohen e gjithë tek biznesi dhe biznesi e ka të vështirë që ato t’i kompensojë kohën e humbur”, shtoi Shahini.

Në anën tjetër, Panxha theksoi se Qeveria nuk duhet të kursejë kur është në pyetje ekonomia sepse duhet të fuqizohen prodhuesit vendës.

“Shkaktar kryesor është mbyllja sepse ndikon në uljen e konsumit për shkak se njerëzit nuk dalin të shpenzojnë në lokale dhe kjo ka ndikim në ulje të aktivitetit ekonomik. E dyta është vaksinimi sepse jemi shumë vonë me vaksinim. Nëse nuk fillon me lëvizë në këtë aspekt kemi problem edhe me vizitat nga jashtë sepse Kosovën do ta prezantojmë si një vend që nuk është vaksinuar ka ende virus është me rrezikshmëri të lartë dhe nuk sugjerojnë me vizituar”.

Sipas tij, Kosova duhet të jetë e fokusuar në gjetjen e tregjeve të reja, ani pse problemet janë të mëdha sa i përket licencave.

Madje Panxha thotë se së pari Kosova duhet të ketë një plan të rimëkëmbjes, raporton EO.

“Ne jemi të fokusuar në gjetjen e tregjeve të reja në mënyrë që të mos varemi vetëm nga tregu i Kosovës. Për të pasur mundësi për të eksportuar duhet të kesh fuqi punëtore të kualifikuar që na për momentin e kemi problem të madh”.

“Ne kemi problem me licenca të shumta. Janë shumë pika që duhet të fokusohemi por së pari duhet të kemi një plan të rimëkëmbjes. Është ligji i rimëkëmbjes që skadon në fund të vitit dhe ende nuk është bërë asgjë. Duhet të rritet kreditimi me norma prefericiale për sektorin e prodhimit që është shumë me rëndësi dhe duhet të asistojmë të gjejmë tregje të reja”.

Tutje, sipas Shahinit, dy çështje me rëndësi që Qeveria duhet të ketë prioritet është sigurimi i sa më shumë vaksinave dhe rimëkëmbja ekonomike.

Shahini theksoi  se Kosovës do t’i duhet katër vjet rikuperimi dhe kthimi në gjendjen e vitit 2019.

“Janë dy probleme që ne ende nuk e dimë strategjinë e qeverisë së vendit se si do t’i qaset. Është problemi i vaksinimit dhe rimëkëmbjes. Në trendin aktual që është duke shkuar vaksinimi në Kosovë nuk do të përfundojë së paku për tri deri në 4 vjetët e ardhshme. Dhe nëse nuk bëhet strategji për rimëkëmbje zhvillimore dhe strategji për ekonominë e vendit, për nxitje të investimeve dhe marrje të fondeve nga institucionet dhe klubet e ndryshme financiare botërore Kosovës do t’i duhet 4 vjet rikuperimi dhe kthimi i një gjendje të vitit 2019″.

“Po dyshoj se Qeveria e vendit nuk ka njerëz të mjaftueshëm të ekspertëve ekonomik dhe shëndetësor për të bërë strategji të përbashkët në mënyrë që të jetë sa më e shkurtër koha e vaksinimit dhe dalja nga kriza. Gastronomia është një nga sektorët në ekonomi që merr pjesë. Këto ditë ata nuk kanë ku t’i shesin prodhimet vendore qoftë edhe bulmetet dhe ka rënë çmimi i tyre dhe kjo do të varfërojë bizneset familjare”, tha ai.

Lexo të tjera