Lajme

Trump akuzon sërish se u manipuluan zgjedhjet në SHBA

0
trump-akuzon-serish-se-u-manipuluan-zgjedhjet-ne-shba

Presidenti Trump, i cili ende nuk ka pranuar fitoren e ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden, i është drejtuar shpesh Twitter-it për të deklaruar, pa prova, se vjedhjet dhe parregullsitë e tjera i mohuan atij miliona vota.

Të premten, Presidenti Trump u përpoq sërish të delegjitimojë rezultatin e zgjedhjeve, duke akuzuar rivalët demokratë për hipokrizi, si dhe se gjetën mënyra për të anashkaluar masat e sigurisë që kishte vendosur administrata e tij.

“Për vite, demokratët kanë predikuar se sa të pasigurta dhe të manipuluara kanë qenë zgjedhjet tona. Tani po thonë se Administrata Trump bëri një punë të mrekullueshme në bërjen e zgjedhjeve 2020 më të sigurtat ndonjëherë”, shkruajti presidenti në Twitter.

“Kjo është realisht e vërtetë, me përjashtim të asaj çfarë bënë demokratët”, shtoi ai. “Zgjedhje të manipuluara!”.

Mesazhi i Presidentit Trump, të cilin Twitter-i e etiketoi si “të debatueshëm”, u shkruajt pasi një koalicion zyrtarësh federalë dhe të shteteve amerikane, ndër ata edhe agjensia e administratës së tij CISA (Agjensia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës) bënë një mbrojtje të fortë të përpjekjeve të tyre. Deklaratës së tyre iu bashkuan prodhuesit e paisjeve të votimit, kompanitë e programeve kompjuterike për votimin, si dhe grupe të shoqërisë civile.

“Zgjedhjet e 3 nëntorit ishin më të sigurtat në historinë amerikane”, thuhet në deklaratën e komitetit ekzekutiv të Këshillit Koordinues të Qeverisjes së Infrastrukturës Zgjedhore (GCC) dhe të Këshillit për Koordinimin e Sektorit të Infrastrukturës Zgjedhore.

“Megjithëse e dimë se ka shumë pretendime të pabaza dhe mundësi për keqinformim për procesin tonë zgjedhor, mund t’ju garantojmë se kemi besimin më të madh në sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve tona dhe po kështu duhet të ndjeheni edhe ju”, thanë ata. “Nuk ka asnjë evidencë se ndonjë sistem zgjedhor fshiu, humbi dhe ndryshoi vota, apo u kompromentua në ndonjë mënyrë”.

Presidenti dhe zyrtarët zgjedhorë janë përfshirë në një betejë të perceptimit publik që kur u mbyllën qendrat e votimit dhe kur afatet për votat me postë mbaruan javën e kaluar.

Ekipi elektoral i Presidentit Trump ka paraqitur padi të ndryshme në mbarë vendin, ku aludohet për procedura të papërshtatshme votimi si dhe për manipulim. Megjithëse disa prej padive janë rrëzuar për shkak të mungesës së evidencës, mbështetësit e presidentit kanë vazhduar të akuzojnë nëpërmjet mediave sociale dhe intervistave në media.

Zyrtarët zgjedhorë të shteteve amerikane ndërkohë kanë reaguar nëpërmjet deklaratave për shtyp dhe mediave sociale për të hedhur poshtë thashethemet dhe keqinformimin.

CISA, agjensia që drejtoi përpjekjet për sigurinë zgjedhore, ka zhvilluar një fushatë të sajën kundër keqinformimit, duke përdorur mediat sociale për t’i orientuar njerëzit drejt faqes së saj në internet për Vendosjen nën Kontroll të Thashemeve, ku përpiqet të demaskojë thashethemet, si p.sh. se një aktor keqdashës mund të ndryshojë fletëvotimet apo tabulatet pa u pikasur, apo se njerëz të vdekur arritën të votonin.

Këto përpjekje duket se kanë ngjallur zemëratën e presidentit.

Duke cituar tre burime në dijeni të çështjes, agjensia e lajmeve Reuters njoftoi të enjten se Drejtori i CISA-s, Christopher Krebs, u tha bashkëpunëtorëve se priste që ta shkarkonte Shtëpia e Bardhë, pjesërisht sepse refuzoi të hiqte apo të ndryshonte informacionin në faqen në internet për Vendosjen nën Kontroll të Thashethemeve.

As CISA dhe as Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave të Zërit të Amerikës për koment. Por lajmi se zoti Krebs mund të ishte në largim e sipër, ngjalli denoncimin e zyrtarëve zgjedhorë të shteteve, të ligjvënësve dhe ish-zyrtarëve.

“Drejtori Krebs dhe shumë punonjës të tjerë të CISA-s me të cilët ndërveprojmë, kanë qenë partnerë të paçmuar në sigurimin e mëtejshëm të infrastrukturës zgjedhore dhe të ndarjes së informacionit”, tha Maria Benson, në emër të Shoqatës Kombëtare të Sekretarëve të Shtetit, në një email dërguar Zërit të Amerikës.

Senatori demokrat Mark Warner, nënkryetar i Komisionit të Zbulimit të Senatit, u tregua edhe më i drejtpërdrejtë.

“Chris Krebs ka bërë një punë shumë të mirë për mbrojtjen e zgjedhjeve tona. Ai është një ndër pak persona në këtë administratë që respektohet nga të gjithë në të dyja kahet”, shkruajti Senatori Warner në Twitter. “Nuk ka asnjë justifikim të mundshëm për ta hequr nga detyra. Asnjë.”

Zoti Krebs është treguar vetë aktiv në mediat sociale, duke reaguar ndaj asaj që CISA e quan keqinformim, duke u bërë thirrje amerikanëve “të mos bien pre”. /VOA

Lexo të tjera