Lajme

Várhelyi takohet me krerët e LVV-së, Kurti i tregon se si e luftoi korrupsionin gjatë qeverisjes së tij

0
varhelyi-takohet-me-kreret-e-lvv-se,-kurti-i-tregon-se-si-e-luftoi-korrupsionin-gjate-qeverisjes-se-tij

Në takim Kurti e njoftoi Várhelyit lidhur me qeverisjen e kaluar të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje njofton se Olivér Várhelyin e pritën Albin Kurti, Besnik Bislimi, Glauk Konjufca dhe Fitore Pacolli.

Sipas LVV-së, Kurti e njoftoi Olivér Várhelyin për menaxhimin e pandemisë, shkarkimin e bordeve, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kurti në fund theksoi se Kosova nuk ka dhe nuk dëshiron alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian.

Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje, pa ndërhyrje:

Sot, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari Albin Kurti i shoqëruar nga nënkryetari dhe ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, anëtari i kryesisë dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca dhe anëtarja e kryesisë dhe deputetja, Fitore Pacolli Dalipi, priti në takim z. Olivér Várhelyi, Komisioner i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, bashkë me Shefin e Zyres së Bashkimit Evropian (BE)/Përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, Drejtoren e Balkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, Shefin e Kabinetit dhe këshilltarin e komisionerit Várhelyi, Laszlo Kristoffy, përkatësisht Syabolcs Horvath.

Fillimisht, kryetari Kurti e falendëroi komisionerin Várhelyi për vizitën. E informoi për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë gjatë qeverisjes Kurti, shkarkimin e bordeve në përputhje me rekomandimet e auditorit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu siç edhe është potencuar në Raportin për Vendin nga Komisioni Evropian, si dhe për situatën politike në vend. Kryetari Kurti foli edhe për rëndësinë e tregtisë dhe integrimit të Kosovës dhe rajonit në ekonominë globale. Megjithëkëtë, sipas sipërmarrësve kosovarë, tre pengesat kryesore që pamundësojnë zhvillimin e tyre janë kërkesa e ulët agregate për shkak të nivelit të lartë të varfërisë, mungesa dhe vështërsitë në qasje në financa, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Andaj, këto duhet ta kenë vëmendjen tonë të pakompromis. Në anën tjetër, Kurti shtoi se Kosova ka një diasporë që është aset i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, dhe ngjashëm siç ka bërë Polonia e Estonia, duhet të punojë në krijimin kushteve të favorshme që diaspora jonë të investojë këtu e të fillojë kthimi i trurit.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Várhelyi, e njoftoi kryetarin Kurtin për vizitën e tij në Kosovë dhe rajon, dhe e informoi për planin e investimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se projektet për investime janë disenjuar së bashku me qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe fokusohen në transport, energji të pastër e të ripërtërishme, digjitalizim dhe projekte në sistemin arsimor. Vlera totale e këtij plani arrinë në 28 miliardë euro investime në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai shtoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar në vend mbetet shqetësues dhe për të ndryshuar situatë duhen rezultate çdo ditë.

Kryetari Kurti në fund theksoi se Kosova nuk ka dhe nuk dëshiron alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian, prandaj është e rëndësishme që vendi të ketë një qeveri me legjitimitet qytetar që është e vendosur të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. /Lajmi.net/

Sot, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari Albin Kurti i shoqëruar nga nënkryetari dhe ish-ministri…

Gepostet von Lëvizja VETËVENDOSJE! am Donnerstag, 8. Oktober 2020

 

Lexo të tjera