Lajme

Vijat e kuqe u hoqën, Jashari: S’kanë ekzistuar kurrë, LDK-ja po i vardiset PDK-së

0

Largimi i vijave të kuqe të LDK-së për PDK-në, ka “ringjallur” përafrimet mes këtyre partive për një koalicion të mundshëm.

Sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deri tek ky vendim ka ardhur për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme”, ka thënë pos tjerash Mustafa, për t’i hapur rrugës zgjedhjes së presidentit të vendit.

Nga partia e Kadri Veselit nuk e kanë mohuar mundësinë që t’i bashkohet koalicionit me LDK-në.

Madje, anëtari i PDK-së, Xhavit Haliti e ka quajtur “deklaratë të mirë heqjen e vijave na i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“Nuk e di çka të them dhe s’mund të konfirmoj asgjë”, ka thënë ai, kur është pyetur sa a ka gjasa që PDK t’i bashkohet koalicionit qeverisës.

“Momenti për t’i hequr ato vijat e kuqe të deklaruara elektorale, mendoj që është mirë që e ka deklaruar atë, por s’ka ndonjë rëndësi për neve”, ka thënë Haliti.

E, për njohësin e çështjeve politike, Shemsi Jashari, pretendimet për heqjen e “bllokadës” nuk përbën diçka të re, pasi që sipas tij, nuk ka pasur vija të kuqe mes LDK-së dhe PDK-së.

“Deklarata e Isa Mustafa se i largon “vijat e kuqe” nuk është lajm për publikun, pasi vijat e kuqe asnjëherë nuk kanë ekzistuar mes LDK dhe PDK-së. LDK-ja vijat e kuqe i ka përdorur vetëm në fushata elektorale për të mashtruar elektoratin e saj, pasi të gjitha proceset ka bashkëpunuar me PDK-në. Edhe qeveria e fundit ne krye me Avdullah Hotin është ndërtuar nga Thaçi prandaj është e pasinqertë nga ana e Mustafa për të tentuar të dëshmoj se ka pasur vija të kuqe”, ka thënë ai për blic.

Duke i cilësuar si të gabuara mendimet për përfshirje në Qeveri, Jashari ka deklaruar se LDK-ja e ka hallin vetëm tek proceset e vështira, e që sipas tij, kjo ka ndikuar që t’i “vardiset” partisë së Kadri Veselit.

“Unë mendoj se kjo deklaratë është një vardisje publike e LDK-së, ndaj PDK-së asgjë e re. Përfshirja e PDK-së në qeverinë aktuale të drejtuar nga Hoti mendoj se është e gabuar dhe nuk do të duhej të ndodhte. PDK do të duhej të punonte si opozitë deri në zgjedhje dhe të mbështeste projektet e mira për vendin, si dhe të mos lejonte që qeveria të gaboj apo të dëmtoj vendin në raport me bisedimet me Serbinë. LDK-ja e ka hallin tek proceset e vështira që e presin Kosovën rreth punës së Gjykatës Speciale, për të cilën ka kontribuar me shpifje një kohë gjatë, prandaj dëshiron ta përfshij PDK-në, brenda koalicionit për të shpërndarë përgjegjësinë. Vendi duhet të mos vonoj e të shkojë ne zgjedhje për të nxjerrë një qeveri legjitime me bazë të gjerë e me mbështetje popullore”, thotë ai./BS

Lexo të tjera