Lajme

Virusi nuk po vret vetëm pleqtë: Sot vdiq një 38 vjeçar në Prishtinë

0

Kosova po përballet me valën e dytë të coronavirusit, që ka sjellur qindra të infektuar në ditë e dhjetëra të vdekur. E një nga viktimat e fundit në Kosovë, është edhe një person mjaft i ri në moshë – vetëm 38 vjeçar.


Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, 38 vjeçari që vdiq nga COVID është nga Prishtina, shkruan Reporteri.net.

Vetëm në kryeqytet, në 24 orët e fundit u regjistruan 3 vdekje. Përveç 38 vjeçarit, betejën me COVID-in e humbën edhe një 54 dhe një 76 vjeçar.

Përveç kryeqytetit, vdekje pati edhe në shtatë qytete të tjera, duke çuar në 11 numrin total të të vdekurve brenda 24 orës. Në Rahovec vdiqën 2 persona, ndërkohë në Ferizaj, Gjilan, Kamenicë, Klinë, Skënderaj e Suharekë nga një.

Ndërkohë, IKSHPK ka bërë të ditur se numri i të infektuarve po vazhdon të jetë i lartë. Vetëm sot u regjistruan 688 raste të reja me Covid-19.

Deri tash, në Kosovë janë regjistruar 833 vdekje nga COVID-19 dhe 29805 persona kanë rezultuar pozitivë.

E kjo situatë alarmante e krijuar me këta numra të mëdhej në një shtet me popullsi të vogël si Kosova, ka bërë që Qeveria të marrë masa të izolimit të pjesshëm. Disa Komuna, duke përfshirë Prishtinën, janë në listën e kuqe ku nga ora 19:00 mbyllet gjithçka dhe nis ora policore. Komunat e tjera janë të renditura në listën e verdhë dhe të gjelbër, ku mbyllen vetëm bizneset por lëvizja lejohet./Reporteri.net

Lexo të tjera