Lajme

Vjen kundërpërgjigja për Sami Lushtakun për vrasjet e pasluftës: Ku ishte SHIK-u kur…

0
lushtaku:-hyjme-ne-qeveri-vec-nese-e-marrim-kryeministrin-ose-presidentin

Njëri nga njerëzit kryesor të PDK-së, Sami Lushtaku, ditë më parë ka thënë se një pjesë e madhe vrasjeve të pasluftës janë bërë nga shërbimet serbe, me qëllim të caktuar për të nxitur përçarje ndërmjet shqiptarëve.

“Një pjesë e vrasjeve pas luftës janë bërë nga shërbimet serbe. Cili ka qenë interesi jonë me vra pas luftës, i kemi pas mundësitë në luftë, e nuk e kemi bërë. Çdo vrasje duhet të zbardhet, por jo të krijohet Gjykatë Speciale me kërkesë të Rusisë dhe Serbisë”, ka thënë kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

E ndaj deklaratës së Lushtakut, ka reaguar analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

“Fakt është që vrasje ka pasur dhe atë, jo pak-por shumë, madje vrasje janë kryer, si para edhe pas luftës, por problemi qëndron në atë, se pas lufte janë bërë vrasjet më të shumta, të cilat shkojnë në mes të një mijë dhe dy mijë sosh, gjë që në mungesë të një gjykate të pandikuar e serioze e cila do të merrej ekskluzivisht me këto raste, ka shkuar puna deri atje, sa kjo çështje, të bëhet lënda kryesore e trajtimit gjyqësor nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, që të paktën sipas aktakuzës së propozuar nga Specialja, për rreth 100 sosh akuzohet edhe vet kreu i shtetit Hashim Thaçi dhe ai i PDK-së, Kadri Veseli”, thotë Qarri.

Image

Gani Qarri

Qarri deklaron se nëse janë të vërteta fjalët e Lushtakut, atëherë si nuk ka arritur SHIK-ut t’i zbulojnë vrasësit nga Serbia.

“Ndaj edhe nëse është plotësisht e vërtetë ajo që thotë ish-komandanti i UÇK-së, z.Sami Lushtaku se një pjesë e madhe vrasjeve të pasluftës janë kryer nga shërbimet serbe, mbetet shumë e pakuptueshme se si partitë e dala nga lufta, e veçanërisht partia e Samiut-PDK, me gjithë atë far alamet shërbimi sekret, të njohur në publik si “SHIK-u” nuk arritën, për mbi 21 vite pas lufte, ta zbulojnë qoftë edhe një doras të vetëm nga Serbia, të cilët paskan mundur të futen lirisht në Kosovë e të kryejnë rreth 2 mijë vrasje edhe pas çlirimit, duke lejuar kaq lehtë që për to të akuzohen “padrejtësisht” kreu i shtetit dhe ai i PDK-së, i cili ishte edhe shef i SHIK-ut”.

Sipas Qarri, qëllimi i vrasjeve të pasluftës ka qenë marrja e pushtetin në Kosovë me forcë, dhe jo përmes zgjehdjeve të lira.

“Ndërsa se cili ishte interesi me vra shqiptar pas lufte, pa aluduar me këtë rast fare në autorët e vrasjeve, është thënë e shkruar qindra herë në media nga njohës serioz të zhvillimeve të mbi dy dekadave të pas luftës në Kosovë, se qëllimi kryesor ishte marrja e pushtetit dhe mbizotërimi politik në vend edhe me forcë, aty ku nuk arrihej me vota apo edhe kërcënime. Vrasjet në luftë dhe vrasjet e pasluftës kanë dallime të mëdha dhe janë tërësisht të pakrahasueshme me njëra tjetrën, edhe si vepër, por edhe në qëllime. Vetëm të merret me mend sot, se jo edhe të kryheshin rreth 2000 vrasje të shqiptarëve nga shqiptarët në kohë lufte, në një vend me popullsi dhe territor kaq të vogël sa ka Kosova, jo vetëm që nuk do ti bashkohej askush luftës, as ndihmonte atë me para, armatim dhe çdo mjet e mundësi nga të gjitha kontinentet e botës, siç vepruan ato vite shqiptarët kudo, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe do të pengohej me të gjitha mënyrat, një këso lufte vëllavrasëse, që të mos mund të zhvillohej fare, duke ditur se çfarë do ta priste popullin nga ushtarë të tillë, pas lufte”, deklaron Qarri.

“Ndërsa vrasjet pas lufte kanë krejt tjetër karakter, për vet faktin se përveç synimit të marrjes së pushtetit edhe atje ku të paktën për një kohë, dukej që ishte e pa mundur, me eliminimin e inteligjencës dhe kuadrove të ngritur nga partitë rivale, zhdukej edhe konkurrenca për zgjedhjet pasuese si dhe sigurohej mbajtja e pushtetit për kohë të pacaktuar. Kështu që edhe nëse një pjesë e vrasjeve të pas luftës, siç thotë z.Lushtaku vërtetë janë bërë nga shërbimet serbe, gjë që nuk mund të përjashtohet plotësisht, atëherë lind pyetja ku ishin shërbimet sekrete dhe publike shqiptare, ku ishte SHIK-u, i Kosovës që e udhëhiqte dhe “mirëmbante” PDK, apo edhe SHIK-u i Shqipërisë, të cilët edhe nëse nuk mund ti dinin menjëherë, me emër e mbiemër dorasit, të paktën të shprehnin publikisht aludimet mbi origjinën e autorëve dhe qëllimet që donin ti arrinin ata dhe shefat e tyre me vrasjet e pasluftës në Kosovë dhe jo të prisnin mbi 21 vite për të dalë me hipoteza se kush dhe nga cili vend e shërbim ata vinin, pa shfaqur asnjë dokument as dhen qoftë edhe një emër… “, thekson analsiti Qarri.

Ai ka akuzuar partitë e ashtuquajtura “të dala nga lufta”, të cilat sipas tij, po pengojnë drejtësinë në Kosovë.

“Njeriu sot pas 21 vitesh nga lufta, kur del para kamerave duhet të ketë në dorë, të paktën një dokument me emra të autorëve dhe shërbimeve që i nxitën e dërguan ata për të kryer këto vepra makabre në Kosovë. Madje janë po partitë e ashtuquajtura “të dala nga lufta” ato të cilat penguan gjyqësinë dhe vendosjen e sistemit të njëmendtë të drejtësisë në Kosovë, nuk ishte Serbia ajo që i bëri këto veprime. Ato katapultuan prokurorë e kryeprokuror të dëgjueshëm, me dhe pa provime të vërtetuara të autoriteteve vendore, si puna e z.Lumezi që u zgjodh kryeprokuror i shtetit, me telefonata të tipit PRONTO, direkt nga Kadri Veseli, edhe pa provim autentik të vërtetuar nga organet juridike të Kosovës, por vetëm me një dëshmi të lëshuar prej një ministri të ish qeverisë së Millosheviqit nga Beogradi. Udhëheqësit e këtyre partive, duke qenë në pushtet vendosën gjyqtar të nënshtruar e pa asnjë kriter në të gjitha gjykatat e shtetit, në mënyrë që asnjë delikt apo vepër kriminale e cila mund të rrezikonte pushtetin e tyre, të mos guxonte të hetohet as gjykohet, për 21 vite me radhë, ose do të përfundonin edhe të tjerët, si zoti Elez Blakaj, duke kërkuar azil në Amerikë”, deklaron më tej Qarri.

Ai thotë se politikanët më të lart të pushtetit në Kosovë, janë strumbullari i të gjitha të këqijave në vendin tonë.

“Ky është edhe shkaku që edhe 21 vite pas lufte nuk kemi asnjë të gjykuar as të dënuar, jo vetëm për mese 2000 vrasjet e pasluftës, por thjeshtë as për korrupsion e krim të organizuar ekonomik, megjithëse tash e mbi dy dekada nga BE e deri në SHBA flitet hapur se pikërisht politikanët më të lart të pushtetit në Kosovë, janë strumbullari i të gjitha të këqijave, i korrupsionit galopant dhe krimeve të të gjitha llojeve në vend, deri te kazinotë dhe fajdetë që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë, herë në mënyrë legale e herë me atë gjysmë ilegale të veprojnë pothuajse lirisht, kudo në Kosovë. Janë mu partitë e dala nga lufta të cilat, tash e 13 vite, jo vetëm që nuk ka kush ti zbres më nga pushteti, por që nga paslufta, nuk kanë lejuar asnjëherë të zhvillohet drejtësi e mirëfilltë në vend, e cila do ta kishte guximin të merrej, siç thotë z.Lushtaku; me të gjithë ata që kanë kryer vrasje të pas luftës”.

Qarri thotë se nëse Lushtaku i di se kush janë autorët e këtyre vrasjeve, atëherë ai nuk duhet të heshteë.

“Pikërisht këta njerëz e quan edhe gjendjen deri atje sa që, jo vetëm Rusia e Serbia, siç shprehet Samiu, por edhe SHBA, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, duke mos parë rrugëdalje tjetër nga kapja e shtetit prej tyre, të propozojnë formimin e një Gjykate Speciale me seli jashtë vendit dhe në largësi e distanca-ku komandantët nuk do të mund të kishin dorë dhe arrinin të ndikonin në vendime gjyqësore. Përndryshe nëse ka njerëz që vërtetë e dinë me aq shumë siguri, qoftë ai edhe z.Lushtaku se njëmendë edhe vrasjet e pasluftës në Kosovë i ka kryer Serbia, nuk duhet të heshtin më dhe ta lënë popullin edhe më tej, në hamendje, as t`ia lënë Gjykatës Speciale ta marrë këtë çështje në dorë, por të ngritin zërin e të flasin hapur dhe ti tregojnë publikisht gjithë opinionit, se kush janë autorët e vërtetë të vrasjeve dhe nxitësit e tyre, e jo të lejojnë që të akuzohet për këto vrasje SHIKU, të deklarohen, siç po veprojnë njerëz nga partitë kundërshtare se ai ishte edhe shërbim i krijuar nga Serbia, apo të akuzohet “padrejtësisht” siç po pretendohet edhe Thaçi e Veseli nga Prokuroria e Gjykatës Speciale”, shprehet Qarri.

“E nëse kanë vendosur të mos flasë askush mbi krimet dhe vrasjet që kanë ndodhur, jo vetëm para, por sidomos ato të pasluftës, me gjithë kalimin e mbi 21 viteve, ato nuk mund të zhbëhen as harrohen, por nuk mbetet rrugëdalje tjetër përpos që me to, të merret Gjykata Speciale, e cila edhe nëse jo të gjitha, një pjesë të tyre mund ti zbulojë dhe të hapë rrugë për zbardhjen edhe të vrasjeve tjera, të ndodhura pas lufte në Kosovë, sepse tashmë ka ardhur koha që përfundimisht dikush duhet ti zbardhë dhe të gjejë zgjidhje, sado të hidhura dhe të pakëndshme qofshin, zbulimet e të vërtetave për këto vrasje”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri./BS

Lexo të tjera