Lajme

“Zgjedhja e presidentit direkt nga populli i jep legjitimitet tjetër figurës presidenciale”

0
“zgjedhja-e-presidentit-direkt-nga-populli-i-jep-legjitimitet-tjeter-figures-presidenciale”

Pula përmes një statusi në Facebook ka thënë se zgjedhja e presidentit direkt nga qytetarët i jep legjitimitet tjetër popullor figurës presidenciale, i cili siç ka thënë, në këtë rast nuk do të ishte më figurë ceremoniale por politike.

“Një zhvillim i tillë e cenon thellësisht sistemin parlamentar të Kosovës, krijon një pol tjetër politik në shtet i cili funksionon qoftë në drejtim të polarizimit politik midis qeverisë dhe presidentit (siç ndodh p.sh. në Rumani), ose kontribuon drejt shndërrimit në një sistem presidencial gjithnjë e më autokratik (siç ka ndodh në Serbi, Turqi, apo edhe në Shqipëri në vitet 1990)”, ka shkruar Pula.

Ai ka thënë se metoda aktuale e zgjedhjes së presidentit nuk është funksionale as proceduralisht, e as nuk është në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

“Kushtetutshmërisht, presidenti duhet të jetë figurë e pavarur dhe unifikuese, që gëzon konsensus të gjerë shoqëror e politik. Aq më tepër, ajo nuk duhet të jetë figurë partiake. Këtë në Kosovë nuk e kemi parë pothuajse asnjëherë (hiq rastin e Atifete Jahjagës, e që megjithatë nuk e ka pasur mbështetjen e shumicës)”, ka shtuar sociologu Pula.

Sipas tij, Kosova duhet ta gjej një format tjetër të zgjedhjes së presidentit, që bazohet në parime e në traditën e vjetër republikane.

“Në vend të zgjedhjes së presidentit nga Kuvendi siç bëhet tani, Kushtetuta mund të përcaktojë formimin e një trupi të përkohshëm qytetar (Tribunat), i përbërë nga organizata të rëndësishme shoqërore dhe qytetarë të zgjedhur përmes lotarisë. Tribunati ka mandat të kufizuar dhe përfshin elemente si, përfaqësim të minoriteteve dhe përfaqësim të barabartë gjinor e socioekonomik. Funksioni i vetëm i këtij Tribunati është përzgjedhja e dy ose tre kandidatëve për president. Këta kandidatë duhet të jenë qytetarë, figura të dalluara e të respektuara shoqërore, por jo drejtues partish e as figura aktive ose të kaluara partiake. Kandidatët pastaj zgjidhen president me votë nga po ky trup, ose edhe me plebishit”, ka thënë ai.

Pula ka shtuar se është e udhës që presidenti, të jetë një figurë, qoftë edhe i dalë nga anonimiteti, që përmes respektit të gjerë që gëzon ndër qytetarë simbolizon shtetin brenda një figure bashkuese e jopolarizuese.

“Për më tepër që një metodë e tillë përfundimisht e heq çështjen e presidentit nga kalkulimet dhe pazaret brenda e ndër-partiake. Dhe, Kosova bëhet vend i vërtetë demokratik ku bash secili qytetar e ka mundësinë të bëhet president”, ka përfunduar ai./Lajmi.net/

Lexo të tjera