Lajme

Zv/ministri i dënuar brenda Qeverisë Kurti, thoshte se kartela zyrtare “po të shtike llugave”

0
zv/ministri-i-denuar-brenda-qeverise-kurti,-thoshte-se-kartela-zyrtare-“po-te-shtike-llugave”

Qazim Rrahmani, i emëruari zëvendës i Hekuran Muratit, ministrit të Financave në Qeverinë Kurti II, në tetorin e vitit 2018 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.

Në njërën nga seancat e mbajtura në gjykatë, duke dhënë mbrojtjen e tij, Rrahmani kishte deklaruar se nuk e kishte keqpërdorur kartelën zyrtare për përfitime personale. Por, e kishte pranuar se kjo kartelë e shtetit “po të shtike llugave”.

“Në dhjetor 2015 ose janar 2016, kam kërku të mbyllet kartela zyrtare dhe jemi pajtuar edhe me stafin që të barazohemi, e pashë që nuk është në rregull edhe kam dashtë ta heq kartelën dhe kur të kem udhëtime t’i marrë paratë e gatshme nga arka e Ministrisë. Prej asaj kohe nuk kam pranuar asnjëherë kartela tjera se e kam pa se ajo kartelë po të shtike llugave pa e pasur qëllimin për vetë faktin se të shtinë me pagu tatime nja 600-700 euro për përdorimin e saj”, tha zëvendësministri Rrahmani.

Rrahmani, në këtë proces gjyqësor ishte gjykuar për dyshimet se ka keqpërdorur kartelën zyrtare bankare, gjatë kohës sa ka qenë zëvendësministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) duke dëmtuar këtë ministri me rreth 12 mijë euro.

Sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, MPMS-së, Rrahmani ia ka kthyer 7.504.51 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4.858.89 euro.

Për këtë vepër ai ishte dënuar gjashtë muaj burgim, mirëpo, me pëlqimin të tij, ky dënim me burg i ishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 3,000 euro, për të cilin vendim ai nuk kishte bërë fare ankesë.

Ai po ashtu ishte obliguar që t’ia kthejë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) edhe shumën prej 4,858.89 euro, ngase më parë ia kishte kthyer kësaj ministrie shumën prej 7.504.51euro.

Kryeministri Albin Kurti, me nënshkrim të tij, e emëroi sot në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Qazim Rrahmanin.

Njoftimin se është emëruar në pozitë qeveritare e ka bërë të ditur Rrahmani, në një postim në Facebook.

“Të nderuar qytetarë, sot kam pranuar vendimin nga Kryeministêri z.Albin Kurti dhe zv.Kryeministêrja znj. Emilija Redžepi, të cilit më emruan zv.Ministër në Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve… Me nder dhe përgjegjësi do të vazhdoj kontributin për vendin dhe qytetarët e Kosovës, respektivisht për komunitetin tim”, ka shkruar Rrahmani në postimin e tij.

Rrahmani kishte shërbyer si zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës edhe gjatë udhëheqjes së ekzekutivit të shtetit nga Avdullah Hoti.

 

Lexo të tjera