Ekonomi

Zv. ministri i Ministrisë së Infrastrukturës nënshkroi kontratë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit

0
zv.-ministri-i-ministrise-se-infrastruktures-nenshkroi-kontrate-ne-kundershtim-me-ligjin-e-prokurimit

Tenderi problematik, i cili ka përfunduar në prokurori, më në fund është bërë dokument faktik që pritet të zbatohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Më 18 mars të këtij viti, Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit vendosi që të hedhë poshtë të gjitha ankesat e kompanive për këtë tender dhe e lejoi ministrinë që të nënshkruajë kontratat.

Në kohën kur ministri, Arban Abrashi ishte në SHBA si pjesë e delegacionit për marrëveshjen në Uashington në mes Kosovës dhe Serbisë, zv. ministri Muhamet Gashi më 4 shtator ka vënë firmën në dy kontratat, lot I dhe lot II “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, shkruan lajmi.net.

Dy kontratat janë nënshkruar nga zyrtarja përgjegjëse e prokurimit, Valmira Bllaca, e cila ka vënë firmën mbi dy kontratat më datë 23 qershor 2020, sekretari, Izedin Bytyqi më 3 shtator, ndërsa nën emrin e ministrit, Arban Abrashi është nënshkruar Muhamet Gashi.

Lajmi.net ka zbuluar se kontratat e vlerës së madhe, sipas Ligjit të Prokurimit Publik nuk mund të nënshkruhen nga zv. ministri.

Lajmi.net ka pritur disa ditë për të marrë një përgjigje nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP, lidhur më këtë çështje, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Ligji nr. 04/L -42 për prokurimin publik në Republikën e Kosovës, e trajton këtë çështje tek neni 26 –“Nënshkrimi i kontratave publike”.

Ligji thotë se kontratat publike të vlerës së madhe nga ana e autoritetit kontraktues nënshkruhen nga zyrtari përgjegjës i prokurimit (menaxheri i prokurimit), nga Zyrtari kryesor Admistrativ (në këtë rast sekretari) dhe nga Ministri. Po ashtu, për prokurimet tjera publike duhet të vendosen firmat e njëjta, p.sh, në vend të ministrit, në kontratat komunale nënshkruan kryetari i Komunës (ligji: ose autoritet tjera publike). Po sipas ligjit, nëse kontrata nuk nënshkruhet sipas këtyre kushteve, atëherë është e pazbatueshme.

Kontrata “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë” peshon 14. milionë e  493 mijë euro.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Izedin Bytyqi e ka arsyetuar vonesën e nënshkrimit të kësaj kontrate në mungesë të fondeve.

“Zyrtarja përgjegjëse e prokurimit i ka nënshkruar kontratat në kohën kur ka konsideruar se e ka përmbyll pjesën e vet të punës sipas përgjegjësive që i takojnë. Sa i përket nënshkrimit nga ana ime, vonesa është shkaktuar për shkak te disponueshmerisë së mjeteve buxhetore dhe kjo çështje me rekomandim te Ministrisë se Financave është vendosur të trajtohet me prioritet ne buxhetin e vitit 2021. Unë kam pasë hezitime për të nënshkruar pa e siguruar komplet buxhetin, mirëpo duke pasë parasysh raportet nga Drejtoria e Komunikacionit Rrugor të Policisë së Kosovës, për rrezikimin e sigurisë rrugore nga shembja e shkëmbinjve/gurëve ne këtë segment, si dhe raportet nga Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve, në të cilat konstatohet se si pasojë e shembjes po shkaktohen aksidente si dhe rreziku permanent për aksidente me pasoja tragjike që do të mund të shkaktonin humbjen e jetëve për shkak të mosintervenimit në rrugë, është gjetur zgjidhje brenda kornizës ligjore ashtu që në kontratë është futur edhe pjesa që e përcakton se kjo kontratë është e kufizuar me ndarjet buxhetore sipas Ligjit të buxhetit dhe se punimet do të autorizohen vetëm në shumën e ndarjeve buxhetore të vitit përkatës”, tha sekretari i ministrisë për lajmi.net.

Ai e ka arsyetuar edhe vendosjen e nënshkrimit të zv. ministri, Muhamet Gashi, të vendosur në kontratën e cila është përpiluar në bazë të LPP-së dhe jo të një rregullative tjetër.

“Sa i përket nënshkrimit të zv/ministrit nuk ka asnjë problem pasi që në mungesë të ministrit Zv/ministri e zëvendëson. Nëse nuk gaboj kjo çështje rregullohet me Rregulloren e Punës ose Rregulloren mbi fushat e përgjegjësive administrative te Zyrës se Kryeministrit dhe Ministrive”, shtoi tutje sekretari.

Lajmi.net në vazhdimësi ka raportuar për shkeljet që janë bërë deri tek realizimi i këtij tenderi, i cili ishte iniciuar në vitin e kaluar, kohë kjo kur sekretar në ministri ishte Betim Reçica, i cili po hetohet nga prokuroria për disa tenderë, bashkë me shefen e prokurimit, disa zyrtarë tjerë të ministrisë dhe një të dyshuar tjetër M.P si ndërmjetësues në tender.

Lajmi.net ka mësuar se para pak ditëve janë parë bashkë zv. ministri Gashi dhe i dyshuari për ndërmjetësim të tenderëve M.P.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zv. ministri Muhamet Gashi, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet lidhur me atë se cila është lidhja e tij me M.P dhe se cila ka qenë baza ligjore qe e ka lejuar të vendos nënshkrimin në dy kontratat.

Lidhur më vonesat e nënshkrimit të kësaj kontrate nuk kishte preferuar të përgjigjet as ministri Abrashi. Ndërkohë, lajmi.net ditë më parë ka raportuar se ministri Abdixhiku po hezitonte të nënshkruante këtë tender, pasi kishte dyshime se ai ishte realizuar në kundërshtim me ligjin. As Abdixhiku nuk ka dashur të përgjigjet në interesimin e lajmi.net lidhur më këtë çështje.

Ditë më par lajmi.net ka raportuar se pas një punë disa mujore, hetuesit nga Departamenti për Hetimin e Korrupsionit në kuadër të policisë së Kosovës e kanë dorëzuar një raport të hollësishëm në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115”.

Burime të lajmi.net kanë bërë të ditur se ky organ i hetuesisë ka hartuar një raport me të gjetura serioze lidhur me shkeljet ligjore që janë bërë nga ana e disa zyrtarëve të ministrisë përfshirë drejtoreshën e prokurimit, Valmira Bllaca dhe disa zyrtarë të OSHP-së. Mësohet se më këtë rast është duke u marrë prokurori Dren Paca.

Ministria kishte rrëzuar një kompani shumë më të lirë e cila ishte e përgjegjshme, duke konsideruar se gjatë ankesës së saj, kompania kishte bërë ankesë të jashtë afatshme në e-prokurim. Në raportin e saj të dorëzuar në prokurori, policia e ka theksuar këtë shkelje ku ka gjetur se ankesa ka qenë e afatshme.

Më 18 mars 2020, Paneli i Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit vendosi që të hedhë poshtë të gjitha ankesat e kompanive për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti  Prizren-Prevallë”. “Gjykata e tenderëve” e la në fuqi vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës dhe e autorizoi që të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës për këtë tender.

Lajmi.net ka raportuar disa herë për këtë tender, për të cilin dyshimet janë se ka pasur shkelje të ligjit të Prokurimit kur janë rekomanduar për kontratë kompanitë fituese dhe kur nuk i është pranuar ankesa një kompanie e cila ka qenë shumë më e lirë.

Tenderi është i ndarë në dy pjesë (lot I dhe lot II).

Për pjesën e parë është shpallur fitues kompanitë  “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” në vlerë prej 7,849,716.18 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë 5 të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë 2A GROUP & 2T, me çmim prej 6,477,472.67 euro. Por, të gjitha këto kompani u shpallën të papërgjegjshme nga ministria.

Lot 2 të këtij tenderi e kanë fituar grupi i kompanive “PAPENBURG & ADRIANI”, me çmim prej 6,643,867.79 eurove. Më të lira se kjo kompani kanë qenë edhe dy të tjera. Çmimi më i lirë ka qenë i kompanisë “SA-SALLAHU & GROMA HOLD”, në vlerë prej 5,894,246.39 euro, ose 749,621.40 euro më pak sesa oferta fituese.

Ky tender ka qenë dy herë në OSHP.

Fillimisht në tetor të vitit 2019, ministria kishte shpallur fituesit e tenderit për pjesën e parë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe për pjesën e dytë “Papenburg & Adriani”.

Pas shpalljes së rezultatit nga komisioni i vlerësimit, tek autoriteti kontraktues qenë ankuar shtatë kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes së tenderit dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret, as teknike e as me ofertën më të lirë. Më pas, ministria kishte formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria kishte hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe kishte lënë në fuqi vendimin e vetë për dhënie të kontratës. Më pas, kompanitë janë ankuar në OSHP. Paneli i OSHP-së vërtetoi se tenderi nuk është vlerësuar konform ligjit dhe rekomandoi MIA-në që ta kthejë në rivlerësim përsëri. OSHP-ja vërtetoi se për këtë prokurim ka ofertë më të lirë të përgjegjshme, duke aluduar në ofertën e kompanisë “Sallahu” për lot 2, e cila ishte më e lirë se oferta fituese për 749,621.40 euro. Por, në rivlerësim OSHP-ja urdhëroi që të kthente dhe pjesa e parë e tenderit, pasi edhe aty kishte shkelje.

Por, pas rivlerësimit u shpallën fitues përsëri kompanitë e njëjta. Tek autoriteti kontraktues u ankuan vetëm dy operatorë, konzerciumi “Sa-Sallahu & Groma Hold”, dhe “2A Group &2T”. Përsëri, ministria e formoi një komision vlerësues për të shoshitur pretendimet ankimore. Ofertën e 2A Group &2T” përsëri e hodhi poshtë duke e vlerësuar si të papërgjegjshme. Ndërsa, për ofertën e “Sa-Sallahu” tha se ishte ofertë e jashtafatshme e ngarkuar me pretendime në KRPP, dhe nuk e mori në konsideratë.

Këto dy kompani përsëri u ankuan në OSHP. Ky institucion e autorizoi ekspertin e vetë për shoshitjen e provave. Eksperti e përpiloi raportin ku rekomandoi që lënda përsëri të kthehet në rivlerësim, ngase sipas tij, ministria e kishte shkelur ligjin kur kishte shpallur operatorët ekonomikë si të përgjegjshëm, ndërsa ofertën e kompanisë “Sa Sallahu” e kishte konsideruar si të afatshme. Lajmi.net kishte raportuar se KRPP-ja kishte dhënë një përgjigje në këtë çështje, ku kishte thënë se ankesa me pretendime ishte ngarkuar në e-prokurim brenda afatit ligjor.

Megjithëkëtë, Paneli Shqyrtues kishte vendosur që të mblidhet në kohën kur ishin masat e rrepta të pandemisë, dhe më 18 mars kishte lëshuar vendim ku rekomandonte që të vazhdohet me nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomik që i rekomandonte ministria. Por, ish-ministri Lumir Abdixhiku kishte hezituar ta nënshkruajë kontratën.

Ministria e Infrastrukturës para pak ditëve ka njoftuar se në rrugën rajonale R-115 Prizren – Prevallë, kilometri i 18-të (në afërsi të fshatit Gornje Sello), ka ndodhur një rrëshqitje dheu dhe gurësh nga pjesët anësore. Kompanitë e kontraktuara nga MI, e kanë pastruar këtë aks rrugor, megjithëkëtë ministria ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të lëvizin me kujdes të shtuar në këtë pjesë apo të udhëtojnë për në këtë destinacion nga rrugët e tjera ekzistuese. Është apeluar që shoferët e mjeteve të rënda (mbi 3.5 ton) të evitojnë kalimin këndej, duke shfrytëzuar rrugët alternative. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/

Lexo të tjera